
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për 17-vjetorin e Pavarësisë së vendit, njoftoi Presidenca të dielën.
Presidenca e Kosovës tha në një njoftim për media se në mesazhin e tij, Trumpi e “përgëzoi popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.
Qytetarët e Kosovës do ta shënojnë të hënën përvjetorin e Pavarësisë, të cilën Prishtina e shpalli më 2008 me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.
Në letrën e Trumpit, sipas Presidencës së Kosovës, thuhet se “lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona”.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi, citohet të ketë thënë Trump në në mesazhin e tij.